Ikin bizneset italiane, greke, gjermane dhe amerikane, vijnë ato nga Kosova e Emiratet

0
186

Ndonëse investimet e huaja direkte janë në nivele rekord prej rreth 1 miliardë euro në vit dhe ndër më të lartat në rajon (si rrjedhojë e investimeve të TAP dhe Devoll), kompanitë e huaja më të vogla nga shtetet perëndimore duket se nuk po e preferojnë më të bëjnë biznes në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT treguan se numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta ra me 5.2% në vitin 2016. Nga të dhënat e përpunuara nga Monitor rezulton se të paktën 13 shtete kanë shënuar tkurrje të numrit të subjekteve që kishin aktivitet në Shqipëri, ku kryesojnë vendet e Europës Perëndimore.

Tkurrjen më të lartë në vlerë absolute e kanë raportuar bizneset me kapital grek, ose të përbashkët. 153 ndërmarrje greke janë mbyllur në vitin 2016, duke bërë që numri i subjekteve me pronësi nga ky shtet të bjerë me 23%, për të arritur në 522. Ndërmarrjet greke janë të dytat për nga numri në Shqipëri, me 9.3% të totalit.

Edhe sipërmarrjet italiane janë me rënie, teksa 91 subjekte janë mbyllur, me një reduktim prej 3.3%. Italia kryeson për numrin e ndërmarrjeve të huaja, me 2662 në fund të vitit 2016, ose 47% të totalit. Megjithatë, në Shqipëri është mjaft i përhapur fenomeni i italianëve që hapin një NIPT, por nuk kryejnë asnjë veprim. Kjo ka bërë që tatimet të kalojnë shumë prej tyre në status pasiv, pasi nuk kanë deklaruar aktivitet për të paktën 12 muaj.

Në rënie kanë qenë dhe bizneset nga Kanadaja dhe Amerika, me përkatësisht -29 dhe -19 subjekte të mbyllura.

27 subjekte turistike dhe 17 kineze janë mbyllur gjithashtu.

Rritjen më të lartë në 2016-n e kanë shënuar subjektet nga Kosova, me 35, duke e çuar numrin total në 556. Sipërmarrjet nga Kosova zënë vendin e tretë, pas Italisë e Greqisë, me 8% të totalit. Tre biznese të reja janë hapur edhe nga kompanitë serbe (total 46), ndërsa kanë rënë ato nga Mali i Zi dhe Maqedonia (përkatësisht -13 dhe -16).

Pas Kosovës, vërshimin më të madh e kanë pasur bizneset na Emiratet e Bashkuara, me 28 subjekte të reja, pothuajse dyfishim në raport me vitin e mëparshëm.

Lërrë një Përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu